Piczo

Log in!
Stay Signed In
Do you want to access your site more quickly on this computer? Check this box, and your username and password will be remembered for two weeks. Click logout to turn this off.

Stay Safe
Do not check this box if you are using a public computer. You don't want anyone seeing your personal info or messing with your site.
Ok, I got it
DITURIA E ALL-LLAHUT DHE DITURIA NË PLANETIN TOKË

MUSA a.s. DHE ROBI I MIRË

Kur, All-llahu i Lartësuar, na tregon ngjarje, në Kur’ani Kerim, Ai, ka për qëllim të na japë ose mësojë urtësinë dhe, njëkohësisht, ato konsiderohen këshilla për ne. E nuk ka për qëllim, që ne të ndalemi dhe të polemizojmë rreth personaliteteve, qoftë ata meshkuj ose femra. Në Kur’an Kerim, emrat nuk kanë vlerë. Vlera e vëtetë, do të ishte në të kuptuarit e këshillës deri në arritjen e urtësisë. Për këtë arsye, All-llahu i Lartësuar, në Kur’an, nuk na tregoi emrat e personave, me përjashtim të dy emrave, e ato ishin Merjeme, e bija e Imranit dhe Isau, i biri i Merjemes, sepse ajo çfarë u ka ndodhur këtyre, nuk i ka ndodhur askujt tjetër. Këto ishin ngjarje të papërsëritura. Për këtë arsye, All-llahu xh.sh., këta të dy, i veçoi me emra. Kurse Faraoni i Egjiptit, Dhulkarnejni, Faraoni i Musait dhe të tjerët, nuk janë me rëndësi për njohje, tek All-llahu i Lartësuar. Kjo është e qëllimtë, sepse polemizimi rreth personaliteteve dhe emrave të tyre, do të shpinte në zvoglimin e ngjarjes dhe harresën e urtësisë. Faraon, konsiderohet, secili njeri, i cili, mendon ose kërkon që ai duhet të adhurohet në tokë. Dhulkarnejn, konsiderohet, secili njeri, që merr dhuntinë e All-llahut, i cili, ngarkohet me hulumtimin dhe zgjidhjen e problemeve, etj.
Thotë i Lartësuari: “Pastaj ata të dy, e gjetën robin, që ishte prej robërve Tanë, të cilit, Ne i kishim dhuruar mëshirë (prej mëshirës sonë), gjithashtu dituri, nga Dituria Jonë (e cila, duhet të jetë dituri e veçantë).”(El Kehf, 68)

Thënia e All-llahut të Lartësuar, kjo shpellë mbulon ose fsheh të vërtetën. Musa, ishte i dërguar i All-llahut të Lartësuar. I dërguari jep informacionet e All-llahut. Përderisa, ishte në lidhje të drejtëpërdrejtë me All-llahun, do të ishte logjike, që çdo dituri të vinte prej tij, sepse ai ishte i ngarkuar të informonte popullin me revelatën që ai e kishte. Por ja, që kësaj radhe, i Lartësuari dëshiroi të na tregojë se vullneti Tij, nuk ka rregulla e as kufij. Ai bën ç’të dojë dhe, çfarë, Ai vetë, zgjedhë të bëjë. Kështu, kësaj radhe, zgjodhi një rob nga robërit e Tij, që e kishte pajisur me dituri. Këtë dituri, nuk e kishin as të dërguarit e Tij. Kjo, ishte një prej mirësive të Tij, që ia dhuron kujt të dojë. Vullneti All-llahut të Lartësuar është i pakushtëzuar dhe pakufij. Tani të fillojmë me tregimin, se çfarë i ndodhi Robit të Mirë dhe Musaut a.s. Shpellat, këto që, në vete, përmbajnë shumë ngjarje, këto që fshehin shumë ndodhi të vërteta, e kjo do të konsiderohet si zbulimi i parë, pastaj vijnë zbulimet e vetë ndodhive e kështu derisa të arrihet tek e vërteta.
Musau i shihte shpellat, por ai nuk ishte në gjendje t’i shihte të vërtetat, prandaj nuk kishte durim. Robi i mirë, duke e njohur mentalitetin e njeriut, që në fillim, i kishte sygjeruar, atij, të bënte durim: “ …kam bindje, se ti nuk do të kesh durim dhe përmbajtje me mua”, pastaj thënia:“E si të kesh durim, për atë çka nuk je i njoftuar!” (El Kehf, 67,68)
Robi i Mirë, kështu kishte vlerësuar, sepse ishte bazuar në diturinë, që ai posedonte. Po kështu edhe Musau! Vlerësimet e tij, bazoheshin në diturinë që posedonte. Këtu kemi të bëjmë me përplasje vlerësimesh dhe gjykimesh. Sipas gjykimeve të Robit të Mirë, ai vlerësonte se bënte një punë të mirë, realiteti i së cilës ishte i fshehur në shpellë, por, në pamje të jashtme, dukej se po bënte krim. Musau shihte vetëm pamjen e jashtme. Ai gjykonte nga pozicioni tij, sepse nuk dinte se ç’fshihej në të. Dallim shumë i madh është mes realitetit dhe pamjes së jashtme. Pamjen e jashtme, mund t’a shohin shumë njerëz, por, realen, e di vetëm All-llahu i Lartësuar. Kemi njerëz, që bëjnë namaz sa për sy e faqe, vetëm sa t’i thuhet se është njeri i mirë, por që, në të vërtetë, është mëkatar. Ai nuk ndalet së gabuari, për hir të të mirave të dynjasë, për dallim nga ai njeri, i cili bën namaz dhe zemra e tij është përplot iman. Këto fshehtësi të tyre, i di vetëm All-llahu xh.sh., se cili nga këta dy, bën namaz nga bindja, e cili nga përfitimet e kësaj bote. Gjithashtu, edhe shembulli i bamirësisë. Kemi njerëz që japin para sa për t’i parë turma, me këtë, ata synojnë t’a përfitojnë atë, dhe kemi njerëz, që kur japin, nuk duan që dora e majtë të shohë se ç‘dha dora e djathtë. Para syve tanë, që të dy, kontribuan në bamirësi, por shpërblimi tek All-llahu ndryshon.
Të tillë shembuj, kemi shumë në jetën tonë të përditshme. Jeta është përplot shpella, të cilat i fshihen realitetet. Kemi njerëz, që paraqiten se na duan të mirën, por në realitet punojnë që të na groposin, etj.
KUR PËRPLASEN GJYKIMET
Musau a.s. “Tha: InshaAllah do të më gjesh, prej atyre që do të durojnë, e nuk do t’i shkeli urdhërat e tua”. (El Kehf, 69) Por, ai, i cili deklarohet se do të mund të durojë, në të njëjtën kohë, është i ngarkuar me vepra, që e ngarkojnë atë sipas gjykimeve të tij, sepse ka marrë direktivat nga All-llahu i Lartësuar. Por shikuar realisht, atij i ishin fshehur të vërtetat, e si mund të duronte! Por, pasi që Robi i Mirë, e mori premtimin, nga Musau, se do të durojë, i tha: “Nëse më shoqëron mua, atëherë, mos më pyet për ndodhitë e gjërave, derisa, unë nuk të tregoj” (El Kehf, 70)
Kjo është urtësia, njeriu, që nuk ëshë i informuar nga All-llahu i Lartësuar me të vërtetat, fshehtësitë e tyre, e bëjnë atë që të gjykojë nga jashtë. Ai që nuk e sheh realen, ai nuk mundë t’a kuptojë, prandaj pëlcet, dhe e humb durimin. Edhe pse Musau ishte i dërguari All-llahut, edhe pse Ai fliste me të, ai nuk mundi të durojë pranë veprave, të cilat ishin të fshehura për të, nga All-llahu i Lartësuar. Kur kjo i ndodhi Musaut a.s., atëherë çfarë pritet nga ne, si njerëz të rëndomtë, të ndodhë, kur t’i shohim ato para syve tanë?
Kemi raste të shohim individë, të cilët bëjnë mëkate, por në anën tjetër, All-llahu i Lartëmadhëruar, vazhdon t’u japë mall. Kemi të tjerë, të cilët mëkatojnë dhe bëjnë dëme, megjithatë, All-llahu i Lartësuar, u jep pushtet. Po ashtu, kemi njerëz të tretë, të cilët mëkatojnë dhe bëjnë ngatërresa në tokë, por gjithashtu jemi dëshmitarë, se All-llahu nuk i përmbys ata, por përkundrazi, populli fiton përshtypjen se ata janë të pamundshëm dhe bëjnë çka të dëshirojnë. Me këtë, i Lartësuari, dëshiron të na thotë se: ajo, çfarë ju po shihni, është vetëm pamja e jashtme e shpellës. E vërteta është e fshehur, ai që ndodhet brenda saj dhe hulumton në të, do të mund t’a gjejë diturinë Time, dhe do të mësojë atë, çfarë Unë dëshiroj t’i jap.
Prandaj, mos gjykoni vetëm pamjet e jashtme. Nuk do të thotë që mirësia, e cila duket nga jashtë, të jetë përfundimtare, ajo mund të mos jetë realja. Gjithashtu, mos gjykoni ndodhitë e këqia, si të tilla. Mundet, që diçka t’iu ndodhë ju dhe, paragjykimi juaj e nxjerr atë si vepër të shëmtuar dhe shumë të keqe, por pas një kohe, pasi që të jenë zbuluar shumë gjëra dhe t’ju hiqet perdja e fshehtësive, do të konkludoni se ajo e “keqe” paska qenë e dobishme. Si dhe, mund të ndodhë, të keni një ditë shumë të hareshme dhe me plot gëzim. Atë ditë do t’a përkujtoni si një ditë të mirë, por pas një kohe do të ndërroni mendje, sepse do t’a kuptoni se ajo ditë paska qenë një ditë e kobshme, ditë që do t’a mallkoje atë gëzim dhe do të thoje pastaj ‘ah’, sikur mos të ndodhte ai gëzim.
Këso shembujsh, të shumtë, janë nga përditshmëria jonë. Kemi shumë shanse, që na humbin në jetë, dhe ato na ngelin në mendje si shanse të mira, por të humbura. Mërzitemi për këto shanse të humbura. Por, pas një kohe, na jepen shanset e tjera edhe më të mira se ato të kaluarat. Kjo është nga Urtësia e All-llahut xh.sh, të na pengojë diçka, për të na dhuruar diçka tjetër edhe më të mirë.
Gjithashtu, vlen edhe për veprat e parallogaritura për momentin, si të këqia, por pas një kohe, befasoheni për të mirë, sepse ajo vepër paska qenë e mirë.
Pastaj i përkulemi All-llahut xh.sh dhe e falenderojmë, Atë, për atë të “keqe”. Të gjithë ne, nëse e kthejmë shiritin e kasetës, së jetës sonë, do të shohim me dhjetra ngjarje, që na vërtetojnë këto urtësi. Por ja që, ne nuk durojmë, edhe pse, i dimë këto realitete. Përderisa, urtësia na është e fshehur, gjoksat tanë ngushtohen dhe kështu e humbim durimin. Pozita e besimtarëve duhet të ndryshojë, ata e dinë se, e mira është ajo, që e ka caktuar All-llahu i Lartësuar për ta, kurse e keqja qëndron në mos kryerjen e veprës ose largimin momental të saj.
Pas gjithë kësaj që thamë, të kthehemi tek tregimi i Musaut a.s. dhe Njeriut të Mirë. Kur hyn eksperimenti, në vet ngjarjen e ndodhisë të cilën e përjetojmë, çfarë ndodhë? Teoria është diçka tjetër, kurse praktika krejtësisht diçka tjetër. Kur ndodhë ngjarja, njeriu nuk e zotëron veten. Ai për momentin harron çdo gjë, tek ai do të mbisundojë pamja e jashtme e asaj ndodhie dhe, padyshim, do t’a kapë pesimizmi. Për këtë arsye, besimtari duhet të jetë shumë vigjilent. Ekziston, dallim i madh, ndërmjet ndjenjës së brendshme të njeriut dhe fjalës ose shprehjes së thënë. Ky moment, është i përballueshëm dhe njeriu e kalon këtë lehtë, por e ka shumë të vështirë të durojë, kur është në brendësi të vet ngjarjes dhe është duke e përjetuar.
Musau me Robin e Mirë hypën, në një anije. Ajo ishte pronë e disa të skamnorëve. Musau, si pejgamber i All-llahut, kishte konsideratë ndaj skamnorëve, sepse mësimi dhe edukimi tij, ishte që njeriu duhet të përkujdeset për skamnorët. Detyrë e tij ishte që t’i ndihmojë ata, për aq sa i jepej mundësia për t’i ndihmuar. Sapo hypën në anije, Robi i Mirë, në vend se t’i ndihmote ata, t’i shpërblente ose të paktën t’ju riparonte atyre anijen e vjetër, ai filloi t’ju prishë anijen edhe më tepër, ose më saktë e zhvrimosi atë. Musau, para kësaj skene, nuk mundi të durojë.
Si mundej që, Robi i Mirë, t’a bënte një gjë të tillë!? Si mundi që t’a zhvrimosë anijen, e cila, për ta, ishte burim i vetëm i jetës dhe, me të, mezi furnizoheshin!? Si mundi, që t’jua humbë shpresat e riparimit të saj, se edhe pse ajo ishte e vjetër, ishte në gjendje të rregullt. Ajo anije, ju shërbente skamnorëve, dhe i ushqente ata.
Duke qenë në këtë gjendje psikike, nën presionin mendor, durimi i Musaut a.s. plasi. Nuk u përmajt dhe i tha: “ …e shkatërrove (zhvrimose) atë, për t’i fundosur udhëtarët! Bëre një gjë monstruoze (shumë të urryer)!?” (El Kehf, 71). Robi i Mirë, nuk vonoi dhe menjëherë ia përkujtoi marrëveshjen, para se të niseshin: “Tha: A nuk të (paralajmërova) thashë se ti, nuk do të tregohesh i durueshëm me mua” (El Kehf, 72) E pranoi Musau a.s. vërejtjen e tij, pastaj kërkoi falje, se nuk do t’a përsëriste më gabimin: “Tha: Mos ma merr për të keq, e kisha harruar fare porosinë tënde, që ma bëre dhe mos më ngarko, me gjëra të vështira (unë dua të mësoj prej teje, prandaj, të lutem, mi thjeshtëzo gjërat).” (El Kehf, 73)

SIKUR T’I JEPEJ DITURIA

Pa dyshim, sikur t’i jepej Musaut a.s., dituria e Robit të Mirë, edhe ky, kishte për të vepruar me anijen, sikur Robi i Mirë. Dituria, për Musaun, ishte e kornizuar, kjo e bënte atë të tensionuar dhe të mos duronte pas ndodhive.
Robi Mirë, vazhdoi rrugëtimin me Musaun a.s. Gjatë këtij rrugëtimi, Robi i Mirë, e ndaloi një çun dhe, pa u hamendur fare, e mbyti atë. Ishte skandaloze, vepër shumë e shëmtuar, ky veprim, e bëri Musaun a.s., të mos përmbahej. Si gjykoi ky njeri, ose Robi Mirë, t’a mbytë fëmijën, pa ndonjë shkak!? Ai, nuk kishte bërë asgjë. Mbytja e fëmijës, në krahasim me shkatërrimin e anijes, ishte shumëfish më e madhe. Prandaj, Musau a.s. iu drejtua: “ …si e vrave një person të pastër, (të pafajshëm, pa asnjë mëkat) që nuk ka vrarë njeri!? Vërtet, bëre një gjë të shëmtuar”
Këtu, duket qartë dallimi ndërmjet personit, i cili, ka informacion të gjërë ose më saktësisht të vërtetën, dhe atij, që nuk posedon informacionin e duhur mbi të vërtetën. Për njeriun e thjeshtë, vrasja e një çuni, të bën të mos përmbahesh dhe, në këso raste, revoltimi është i padiskutueshëm.
Duke e vërejtur gjendjen e Musaut a.s., Robi i Mirë nuk vonoi dhe ia përkujtoi premtimin, që ia kishte dhënë, para se të nisej me të, në shoqërim, dhe i: “Tha: A nuk të (paralajmërova) thashë, se ti nuk do të tregohesh i durueshëm me mua” (El Kehf, 75)
Përnjëherë, Musau a.s. erdhi në vete, duke i shprehur keqardhje për mosdurimin e tij, për të dytën here, dhe i: “Tha: Nëqoftëse pas kësaj here, do të të pyes përsëri, për ndonjë gjë, atëherë mos më lejo, që të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Tash e tutje, ke marrë arsye të plotë prej meje (që t’a ndërpresësh shoqërimin së bashku, sepse mjaft më ke duruar).” (El Kehf, 76)
Me këtë përgjigje, sikur i kërkoi falje Musau a.s. Me shumë keqardhje i thotë, sikur, edhe unë të dua, ti mos më lejo të vazhdojmë së bashku, sepse durimi me ty qenka shumë i vështirë.
Vazhduan rrugëtimin së bashku, derisa arritën në një fshat. Ishin të huaj dhe nuk njihnin njeri. Kërkuan nga fshatarët që t’i ushqejnë. Sipas zakoneve, nëse një i huaj kalon në mes të fshatit, vendasit duhet t’ju afrojnë ushqim. Ky gjest, është nga natyra e vet qenies njerëzore. Ky gjest, nuk do gjykim të veçantë, edhe nëse ata nuk kërkojnë ushqim, ata janë të huaj dhe nuk duhet diskutar. Kur zakonet njerëzore duhej të ishin të tilla, atëherë çfarë mund të thuhet, kur ata kërkojnë ushqim, ngase janë të uritur, kërkojnë kafshata sa për t’a thyer urinë ekstreme. Fshatarët refuzuan për t’i ushqyer!
Dy të huaj të uritur, – Musau a.s.dhe Robi Mirë, hynë në fshat, kërkuan nga fshatarët disa kafshata buke, por u refuzuan. Nuk pranuan t’ju japin asgjë! Çfarë mund të thuhet për këta njerëz? Ata nuk meritojnë kurrfarë mirësie, përkundrazi, ata duhen qortuar. Për çudi, Musau a.s., u befasua kur pa Robin e Mirë, se ju afrua një muri gjysëm të shkatërruar, në atë fshat, dhe filloi t’a riparojë. Jo vetëm e riparoi, por edhe e zbukuroi, atë mur. Sjellja e tij, tani Musaun e tronditi edhe më tepër. Kishin kërkuar nga fshatatrët disa kafshata buke, sa për t’a thyer urinë e madhe që kishin, kurse ky po i ndihmonte ata. Kjo tronditje, Musaun a.s., e shokoi, nuk u durua dhe i tha me zë, paksa më të ngritur. Ata refuzuan të na ushqejnë, e ti po ua riparon murin, bile po e zbukuron atë?!. A ky është shpërblimi i tyre!? Do të ishte më mirë, sikur të goditeshe me ta, për këtë punë. Të paktën sa për të ngrënë, e jo të punosh falas, sepse këta qenkan njerëz, të cilët, nuk e meritojnë, këtë mirësi. Kur’ani, këtë, e përshkruan kështu: “…po të doje, për këtë që bëre, do t’u kishe marrë shpërblim.”
Kjo përzierje e tretë, u bë shkak i ndarjes, ndërmjet Musaut a.s. dhe Robit të Mirë. Ai, i kishte premtuar, se do të ishte i përmbajtur dhe i durueshëm, por më kot, ia fali dy herë. Ashtu siç ishin marrë vesh, hera e tretë do të ishte ndarje mes tyre. Atëherë, i tha Robi i Mirë: “Kjo është ndarja (jonë) mes meje dhe teje…” Nuk e ndërpreu me kaq takimin, e të ikte përnjëherë, por ia sqaroi të gjitha urtësitë e veprimeve të tij. Ia përkujtoi shkatërrimin e anijes, dhe i tha: atë e bëra për të mirën e skamnorëve. Mbreti i tyre, ishte një njeri i pamëshirë dhe mizor. Kishte urdhëruar që secila anije, që ishte në gjendje të rregullt, pa marrë parasysh se e kujt ishte, të sekuestrohej. Për t’ua shpëtuar anijen atyre, e prisha një grimë të vogël. Prishja ishte aq, sa mos t’ju sekuestrohej. Kështu ju mbeti anija edhe më tutje.
Tani të pyes, cila ishte më e favorshme për ta? Ta kishin, më tutje anijen me një prishje të vogël, të cilën, do t’a riparonin për një kohë shumë të shkurtër, apo t’ju sekuestrohej anija? Sikur t’ju tregoja rastin ose këtë urtësi atyre, pa dyshim që ata vetë do të kishin parapëlqyer prishjen e saj. Prandaj konsideroj se kjo që bëra, ishte një e mirë e madhe për ata të shkretë. Por, ja që mungesa e urtësisë, e bëri Musaun të papërqëndrueshëm, dhe nuk duroi për një sekuencë të vogël kohore për t’a vërtetuar realitetin.
TAKOI NJË ÇUN DHE E VRAU
Tani të shohim tregimin e fëmijës, të cilin, e vrau Robi i Mirë. Çfarë urtësie kemi këtu? “…dhe të dy prindërit i kishte besimtarë, prandaj kishim frikë se ai (vazhdimisht)do t’ju shkaktonte dhembje derisa ( me kalimin e kohës do të detyroheshin prindërit tij) të bëheshin femohues” Secili prind, e ruan fëmijën e vet si bebzën e syrit. Ata i kushtohen atij, dhe i lënë përshtypje shumë të mira në këtë botë. Por, kur prindi e vëren se fëmija po i shkakton dhembje, po i mundon dhe do t’i nxjerrë probleme, deri në atë masë, sa ata të bëhen mohues të fesë, duke qenë se ishin besimtarë të mirë, padyshim, që do t’a lutnin, të Madhërishmin, për t’ua zëvendësuar atë, me një fëmijë tjetër dhe besimtar.
Këtë gjë e vërejmë shpesh herë, në jetën tonë të përditshme, kur djali ose vajza bëhen problematikë. Prindërit, joshen pas tyre dhe gabojnë kundrejt parimeve fetare. Ndodh, që për hir të tyre, të vjedhin, ose të bëjnë vepra të liga, të cilat e hidhërojnë All-llahun. Këtë, e bëjnë vetëm sa për t’ua plotësuar dëshirat atyre. Ndodh që t’a mbulojnë sekretin, për shkak të fëmijës të tyre. Prindërit, gjithmonë, janë të dobët përballë kërkesave të fëmijëve.   Prindërit e mirë, nuk shikojnë vetëm këtë botë, por ata mendojnë edhe ahiretin, ose botën tjetër. Këta prindër, para se t’a fusin dorën në diçka të huaj, e dinë mirë se do të japin llogari, gjithashtu e dinë se, për shkak të fëmijës të tyre, do të dënohen. Kjo pasuri nuk i bën të kënaqur, por, përkundrazi, ata i iriton vepra e shëmtuar. Vepra, që e hidhëron All-llahun e Lartëmadhëruar, duhet të jetë e padëshirueshme, sado e këndshme të jetë ajo, për kënaqësitë e kësaj bote. Kurse, sa i përket prindërve jo të mirë, ose mohuesve të fesë, këto vepra i kënaqin. Njeriun besimtar, nuk e bën të kënaqur asnjë pasuri e botës, e cila arrihet në formë vjedhjeje, ai është i bindur se ajo pasuri e hidhëron All-llahun. Me pasuritë e paligjshme, njeriu nuk arrin askund. Padyshim, ai me të nuk ndien kënaqësi, por përkundrazi, do të ketë vuajtje të vazhdueshme. Ajo, do t’a përcjellë si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër, edhe pse, në pamje të jashtme, duket se çdo gjë është në rregull.
Nëse, prindërve të mirë, iu jepet mundësia të zgjedhin: T’ju dhurohet fëmijë, por që do të jetë problematik dhe që do të bëhet shkaktar, që ata t’a humbin fenë; ose të zgjedhin, alternativën tjetër, që të mos u jepej fare fëmijë, pa dyshim, që ata do të zgjedhin të dytën. Ata do të jenë të bindur, se për ta, do të jetë shumë më mirë t’a kalojnë jetën pa fëmijë, sesa të kenë djalë ose vajzë, që vazhdimisht do t’ju sjellë probleme dhe, në fund, edhe do t’i nxjerrë nga besimi, në All-llahun xh.sh.
Të supozojmë, sikur i Lartëmadhëruari, t’ju tregonte për ardhmërinë e djalit të tyre. T’ju tregonte se, ai kur të rritet do t’i shpiente ata në zjarr dhe, në të njëjtën kohë, do t’ju jepte mundësinë e përzgjedhjes. Pa dyshim, se ata kishin për të thënë se: nuk e duam, fare, këtë fëmijë. Këtu, kemi të bëjmë me përzgjedhjen e njeriut të mirë, i cili do të zgjidhte, nëse do të shkonte në zjarr, apo do t’a pranonte dhuratën e Zotit për të patur fëmijë. Kjo ngjarje, tregon se, All-llahu i Lartësuar, për këta prindër të devotshëm, paska zgjedhur më të mirën e mundshme. Bile, zgjodhi nga mëshira e Tij e Madhe, që fëmia i tyre të mbytet, për të parandaluar krimet, që ata do t’i bënin në këtë botë. Kështu, Ai, nga mëshira, do ti bashkojë përsëri me fëmijën e tyre në xhennet. E dyta, i Lartësuari nga vullneti Tij i mirë, kishte zgjedhur që, atyre, atë fëmijë, t’ia zëvendësojë me një tjetër të mirë dhe besimtar. Ai, në Kur’anin Kerim, thotë: “Dhe deshëm, që t’ua zëvendësojmë atyre me një tjetër, i cili, do të jetë më i mirë, më i mençur, më i afërt dhe më i mëshirshëm për ta” (El Kehf, 81)
Vullneti All-llahut të Lartësuar, zgjodhi për ta zëvendësues të fëmijës, i cili parashikohej të ishte problematik dhe i cili do t’i shpiente prindërit në mohim të All-llahut, me një fëmijë të mirë dhe bamirës. Kur ne i përcjellim ngjarjet, ato nuk duhet t’i ndërlidhim me ngjarjet e kohës, sepse ajo është vepër dhe matës, që na përket vetëm neve. I Lartësuari, nuk ka të bëjë me kohën. Prandaj, çdo gjë, kur duhet t’a prezantojmë, atë duhet t’a ndërlidhim mes veprës dhe shpërblimit. Mëkati i bërë nga ne, e gëzon vetëm armikun. Ai, i gëzohet mëkatit tonë, sepse, ai, mund të jetë bërë me para haram, ose me pasuri të huaj, ose është bërë ndonjë krim, ose është përdorur forca. A ia vlen që e gjithë keqbërje të bëhet vetëm sa për ta kënaqur veten, ose dikë tjetër dhe atë për një periudhë të shkurtër kohore?
Këto sjellje dhe veçori, nuk i përkasin dhe vlejnë për njeriun besimtar. Ai, i sheh gjërat me një sy tjetër dhe është i bindur, në shpërblimet që e presin. Ato, i sheh sikur t’i kishte para vetes. Për momentin, ato janë sekret, si për besimtarin, ashtu edhe për jobesimtarin. Por, jo, mosbesimtari shpërblimet nuk i sheh fare, sepse, ai, atyre nuk ju beson fare. Sikur shpërblimi të ishte i hapur, atëherë ata do të ishin të barabartë, si në ushqim, ashtu edhe në gjëra të tjera, psh., sikur t’a mbushnim një dhomë me flori, e atë do t’ia ofronim një njeriu, dhe do t’a paralajmëronim se ky mall është mbledhur prej haramit, por, që ky është caktuar për ty. Do t’i themi merre, dhe kënaqu me të, për një kohë të caktuar. Por menjëherë, do t’ia kishim hapur derën tjetër, dhe aty, ai do të shihte dënimin e All-llahut, në zjarr të xhehennemit. Pasi ta ketë parë dënimin, përsëri do t’i themi atij, nëse e merr këtë pasuri të haramit, do të fusim në këtë dhomë për t’u ndëshkuar. Pas këtij shpjegimi, pa dyshim, ai nuk do të përpiqej të merrte asnjë copë floriri. Kështu, nuk do të kishte njerëz, që do të gabonin ndaj Zotit. Dallimi mes besimtarit dhe jobesimtarit, qëndron aty se, njeriu besimtar këto gjëra i sheh në mendje, edhe pse, e ardhmja e tij është sekret. Në momentin, kur besimtari e zgjat dorën për t’a marrë pasurinë e haramit, atij i paraqitet, para syve të tij, pamja e xhehennemit dhe dënimi i All-llahut.
Menjëherë, e largon dorën, kërkon falje për gabimin, që kishte për t’a bërë. Kurse, jobesimtarit ose ateistit, nuk i paraqitet kjo pamje. Atij, nëse i thuhet dhe i tregojnë për të ardhmen e botës tjetër, ai do t’a refuzojë, ose të paktën do të mundohet t’a refuzojë. Do të përpiqet që t’a bindë veten, se këto gjëra janë të pavërteta. Kështu, ai do të vazhdojë së vepruari, duke supozuar dhe mashtruar veten, se nuk ka ndëshkim, pas kësaj bote. Ajo, që e kënaq atë, është pasuria dhe fitimi i momentit, ai nuk llogarit për jetën e botës tjetër, sepse e vërteta para tij është e errët.
Njeriu besimtar, mëkatet i sheh si ndëshkim prej All-llahut, kurse, njeriu ateist, mëkatet i sheh, si shkathtësi të tij dhe fitim. Duke qenë se ndryshojnë teoritë, ndryshojnë edhe veprimet. Ajo që është më e rëndësishmja, e vërteta mbetet, edhe pse për momentin është e fshehur për ne. Për çdo veprim, do të përgjigjemi.

CILA DO TË ISHTE PËRZGJEDHJA E PRINDËRVE?

Tani, të kthehemi, përsëri, tek tregimi i vrasjes së fëmijës, nga Robi i Mirë. Sikur mos t’a kishte fëmija exhelin (momenti i vdekjes është i caktuar nga All-llahu xh.sh. kjo, në arabishte, quhet exhel shpesh here, nuk i shijojnë kënaqësitë e kësaj jete), do të jetonte një jetë përplot ngatërresa. Ai, me siguri, kishte për t’i detyruar prindërit të “vjedhin”, ose të ballafaqoheshin me lloj-lloj ngatërresa me të tjerët, etj. Këtë, ata do t’a bënin për t’ia plotësuar dëshirat fëmijës. Këtu, edhe shtrohet pyetja, cila do të ishte më e mirë për prindërit, t’a kishin në jetë ende këtë fëmijë, apo më mirë, për ta, do të ishte t’u zëvendësohej ai, me një fëmijë tjetër besimtar, të mirë dhe i pranueshëm, për këtë botë dhe tjetrën?
Sikur t’a kishin informacionin e duhur për të ardhmen, me siguri, ata do t’a kishin zgjedhur më të mirën. Meqenëse, ata, ishin të bindur në përgjegjësitë e tyre dhe besonin në ringjallje, ata, do të ishin të kujdesshëm nga provimet e përditshmërisë së kësaj bote. Ata ishin zemërfortë dhe ishin përplot bindje.
Po çfarë ndodhi në realitet? Shikuar nga jashtë, ajo që ndodhi, ishte e shëmtuar dhe skandaloze. Kurse, kjo vepër, në realitet, nëse kërkohej e vërteta, për prindërit e fëmijës dhe për vetë fëmijën, ishte vepër e mirë. Por, problemi, qëndron që, atyre, nuk iu është shpalosur sekreti i së ardhmes, prandaj, njeriu i thjeshtë, këtë do t’a konsiderojë si vepër shumë të keqe. Çuditërisht, ne, në jetën tonë të përditshme, bëjmë vepra të shumta, për ngritjen e standarteve dhe për një ardhmëri më të mirë. Prindërit, shpeshherë, privojnë vetet nga shumë sende, ata, këtë, e bëjnë për t’i kënaqur fëmijët e tyre, sa më shumë. Ata mendojnë për t’i shkolluar ata, sa më mirë dhe më lehtë. E gjithë kjo sakrifikicë e tyre, bëhet me qëllim që ata të bëhen të sjellshëm, të ndershëm dhe të zotët e vetvetes. Ata mundohen, që jeta e fëmijëve të tyre, të jetë shumë më e mirë se vetë jeta e tyre, që kanë jetuar. Njeriut të sëmurë, i ndalohet të hajë ushqimet që i pëlqen, nëse nuk i ka në recetë. Po e njëjta gjë, është edhe me pijet që i shijon, ose shumë gjëra, që zemra ia parapëlqen. Ai detyrohet të marrë barnat dhe t’i shijojë idhtësirat e tyre. Këtë e bën pa dëshirë, ai rënkon për një kohë të gjatë, deri në përmirësim të shëndetit. Ky është rrugëtimi i kësaj jete, nuk ka ndryshim në të. Duke qenë se po flasim për jetën e kësaj bote dhe ahiretit, disa njerëz harrojnë ahiretin dhe llogaritë, që do t’i japin atje, ata nxitojnë në grumbullimin e sa më shumë pasurive, duke mos shikuar se si grumbullohet, apo a është haram.
Të habit fakti, se disa njerëz e privojnë veten për një kohë të gjatë nga kënaqësitë e kësaj bote. Ata i sheh duke vuajtur. Ata, gjithnjë, janë në kërkim të një dite tjetër më të mirë. Orvajtjet e tyre, janë sikur të gjithë të tjerët, atë e bëjnë për t’a shijuar, edhe ata, këtë jetë. Por edhe pas të gjitha këtyre sakrificave, po këta njerëz, çuditërisht, i sheh se janë mohues së All-llahut.
Në fakt, jeta e tillë e tyre, është e kotë. Gjithashtu, janë të pakënaqur, por,   fatkeqësisht, mëkatojnë. Shembulli i tyre, është sikur lojërat e fëmijëve, ata harrojnë se fëmijët bëjnë, atë, që ua ka ënda atyre, por nëse vazhdojnë me avazet e tyre, ata duhet t’a dinë se, një ditë, do të rriten dhe nuk do të gjejnë punë të përshtatshme.
Realiteti i kësaj bote është edhe më i përpiktë, sepse ditët i kemi të numëruara në këtë botë, kurse jeta e ahiretit është e përhershme. Të mirat e kësaj bote, varen nga mundësitë që ia krijon njeriu vetes, me dëshirën e All-llahut, kurse, në ahiret, njeriu disponon vetëm me kënaqësitë e All-llahut të Lartësuar, të cilat, janë të panumërta. Dallimi, mes mundësive të All-llahut dhe të njeriut, janë të pakrahasueshme. Kjo botë, kënaqësitë i ka të caktuara. Nëse njeriu shpenzon pa masë, shkatërron shëndetin e vet dhe, njëkohësisht, nuk do të arrijë të kënaqet. Derisa ai e tepron në shpenzimin e një ushqimi, ilaçi i tij, një ditë, do të jetë ndalimi i atij ushqimi.
Kështu, për secilin që shpenzon tepër, për çfarëdo lloj kënaqësie të kësaj bote, All-llahu i Lartësuar do t’ia ndalojë atij atë. Ai do të bëjë që, ai mos të arrijë deri tek ajo. Kurse, bota e ahiretit është ajo, që syri i njeriut kurrë nuk ka mundur të shohë, e as veshi kurrë nuk ka dëgjuar, dhe gjithsesi as që i ka shkuar ndërmend, ndonjëherë, ndonjë njeriu se mund të ketë gjëra të tilla. Imani është rezultat ose urtësia e gjithë kësaj që thamë. Për këtë arsye, All-llahu i Lartësuar, na tregon se: “…dhe të dy prindërit i kishte besimtarë”. All-llahu, këtu, na paraqet një të vërtetë shumë të rëndësishme. Ai, na kishte paralajmëruar, se prindërit ishin të mirë dhe besimtarë. Ky iman, dhe ky sinqeritet i tyre, ndaj Krijuesit, ju mundësoi atyre të kanë mundësi të zgjedhin. Ata do të zgjedhin: t’a kenë ose mos t’a kenë fëmijën.
Këtyre, ju preferua, kjo e dyta. Po të gjykojmë me parametrat e kësaj bote, do të konkludonim se kjo vepër ishte e shëmtuar. Me këtë vepër, Zoti, e ruajti imanin e tyre. Ai, ishte i mëshirshëm, si për prindërit, ashtu edhe për fëmijën. Në anën tjetër, atyre ua zëvendësoi, atë, me një fëmijë tjetër. Duke e zëvendësuar, atë, me një tjetër, Ai e shpëtoi fëmijën e mbytur, nga sprovat e kësaj bote. Pra, sikur, vërtet, i Lartësuari t’ju mundësonte prindërve të zgjedhin, për këtë tregim, me siguri, që ata kishin për t’a zgjedhur këtë, të cilën edhe u bë. Në të njejtën kohë, do të ishin falenderues ndaj All-llahut, i cili i mëshiroi nga Mirësia e Tij. Por, më e rëndësishmja, që nuk duhet të na mungojnë asnjëherë, është imani.

VEPRA E MIRË ...NUK ZHDUKET

T’i kthehemi, tani, të vërtetës së tretë. Tek fshati i kopracëve. Fshatarët nuk i ushqyen ata të dy, edhe pse, këta kishin kërkuar nga fshatarët për t’i ushqyer. Dy të panjohur, shumë të uritur, kishin hyrë në fshat. Gjëja më e rëndomtë, do të ishte që fshatarët të tregoheshin bujarë. Nëse, një i huaj hyn në një fshat, pikë së pari, atij i ofrohet ushqim. Ai mund të mos jetë i uritur, por nëse ai tregon se është i uritur, fshatarët janë të detyruar që t’a ushqejnë atë. Kurse këta fshatarë, Musaun dhe Njeriun e Mirë, edhe pse dukeshin nga pamja e jashtme, se ishin shumë të uritur, i keqpritën, bile edhe i qortuan. Nga uria e tepërt, ata, si duket, nuk i kishin dëgjuar qortimet e tyre, ata
kërkonin ushqim pa pretendime, nuk kërkonin ndonjë ushqim të veçantë ose llojllojshmëri të gjellërave, kërkesa e tyre ishte shumë e vogël, disa kafshata bukë, sa për t’a larguar urinë ekstreme. Fshatarët refuzuan edhe këto kërkesa të thjeshta. Gjatë rrugës përmes fshatit, Njeriut të Mirë, i shkoi syri tek një mur, i cili ishte duke u rrëzuar. U drejtua drejt atij muri, dhe filloi t’a riparojë. Musau, nuk kishte si të duronte dhe tha: Populli i këtij fshati, refuzoi të na japë dy kafshata bukë, e ti po ua riparon këtë mur pa pagesë, po ua zbukuron fshatin, si shpërblim të qortimit të tyre ndaj nesh! Kjo është një çudi e urryer!
Pas kësaj kërkese ose situate, Musaut a.s., i tregohet e vërteta e kësaj vepre humane, prej Njeriut të Mirë. Vërtet, fshatarët nuk e meritonin këtë të mirë, por, kjo vepër e tij, nuk u dedikohet fshatarëve. Ky mur ishtë pronë e disa fëmijëve jetim. Një njeri i mirë, i këtij vendi, e kishte njohur mirë, mentalitetin e fshatarëve të tij. Ai e paska ditur se këta janë matrapazë, nuk i mbajnë premtimet, dhe nuk janë mikpritës. Ata janë kopracë, dhe asgjë nuk shpenzojnë në emër të All-llahut xh.sh. Vërtetë, All-llahu ju paska ndaluar, që këtyre t’ju bëhet mirë. Por, njeriu i mirë i këtij fshati, para se të ndërronte jetë, ju kishte lënë, fëmijëve të tij, një thesar, poshtë këtij muri.
Këtu ishte edhe ndarja, ndërmjet Musaut dhe Njeriut të Mirë. Pasi, u sqaruan këto urtësi të All-llahut, në këto ngjarje, vërejmë se urtësia ndryshon njëra prej tjetrës.
Shikuar nga një këndvështrim, ose të bazuar në logjikë, dy veprimet e para të Njeriut të Mirë, dukeshin si shumë të këqia, të shëmtuara dhe të papranuara. Por ja, që e vërteta e tyre, ishte krejtësisht e kundërt. Një prishje e vogël e tragetit, i shpëtoi, ata të shkretë, nga tirania e sundimtarit të kohës, që mos t’ua uzurponte atë. Në ngjarjen tjetër, vrau fëmijën, për t’i shpëtuar prindërit e atij fëmije, por, atë, e zëvendësoi me një fëmijë tjetër të mirë. Kurse, ngjarja e tretë, ka të bëjë me fshatarët jo mikpritësa. Megjithatë, Njeriu i Mirë, ju bëri një “shërbim”, ai ju riparoi murin, që po rrëzohej. E vërteta e këtij muri ishte se, Njeriu i Mirë nuk i shërbeu atyre, por i pengoi, që ata të arrijnë deri tek thesari. Këtë e bëri, ngase fshatarëve ju ishte e ndaluar bamirësia.
Muri i shkatëruar, poshtë tij, kishte një thesar. Ky thesar, u përkiste dy fëmijëve jetim, që jetonin ne qytet. Babain e kishin patur të mirë. Pasurinë e dikujt, normalisht, se duhet t’a trashëgojnë fëmijët. Babanë e mirë, All-llahu, e përgëzon me fëmijë, që do t’a trashëgojë pasurinë e tij, që të jetë pjesëmarrës në furnizimin e tyre. Ky shpërblim, ishte i All-llahut xh.sh., për shkak të veprës së tij të mirë.
Shtrohet pyetja. Vërtetë a do ta trashëgonin atë thesar, këta dy fëmijë? Jo, gjithsesi se jo. Gjykuar sipas sjelljeve dhe moralit të fshatarëve, të cilët, nuk pranuan t’i ushqejnë dy të uriturit. Sikur, rastësisht, t’a kishin gjetur thesarin, ata, kishin për t’a marrë për vete. Ata nuk do t’ua jepnin fëmijëve, atë. Për shkak të moralit të dobët të fshatarëve, All-llahu i Lartësuar, ua kishte ndaluar atyre çdo bamirësi ose thesar. Veçanarisht, kur ishte në pyetje, vepra e mirë e babait të fëmijëve. Ai, ua ruajti atyre, atë thesar, derisa të rriten.
Kjo ishte një nga urtësitë, dhe të fshehurat. Çfarë ishte e qartë para fshatrëve? Në fshatin e tyre, u futën dy të panjohur, të uritur. Ata refuzuan t’i ushqejnë ata dy, kurse njëri prej tyre, u bëri një të mirë, u riparoi dhe e zbukuroi një mur brenda fshatit të tyre.
Sikur të ishe banor i atij, dhe t’a përjetoje këtë ngjarje, do të thoshe Subhanallah (i Lartësuar është All-llahu)! Populli i tërë, refuzoi t’i ushqejnë dy të huaj, të uritur. Refuzuan, urdhërin e Zotit, ndaj përkujdesit të skamnorëve. Në vend të bujarisë, që duhej të ishte shpërblimi tyre, ata shprehën urrejtje dhe nuk ju dhanë as dy kafshata bukë. Më pastaj, vërejmë që njëri prej tyre, ashtu i lodhur, ngrihet dhe e riparon një mur. Jo vetëm kaq, por edhe e zbukuron atë. Me siguri, do të drejtoheshe drejt qiellit duke thënë: O Zot, ç’po më shohin sytë! Ke dërguar njeri, t’ju riparojë murin këtyre, fshatarëve të poshtër, të cilët, nuk i ushqyen këta të shkretë!? O Zot, si t’ju shpërblehet këtyre të poshtërve, në këtë mënyrë?!
Do habiteshe me ato sjellje, si po e nënshtron, All-llahu i Lartësuar, një njeri, ndaj një populli, i cili është shumë larg bindjes së besimit dhe kërkon, prej tij, t’a zbukurojë fshatin e tyre. Kjo e shtyri, Musaun a.s., që të mos durojë. Por, kur atij iu shpalua e vërteta e atij veprimi, ai kuptoi se fshatarët nuk kishin kurrfarë dobie prej asaj “mirësie”, përkundrazi, ajo ishte ndalesë e të mirave të tyre. Për ata, që nuk e dinin përfundimin, kjo vepër konsiderohej dhuratë, kurse realiteti ishte krejtësisht i kundërt.
I Lartësuari, na solli këto shembuj në këtë sure, për t’ia tërhequr vërejtjen, qenies njerëzore, të mos nxitojnë në gjykimet e veta. Që ata të jenë të bindur, të përdorin logjikën e tyre, por, pa u nxituar. Sikur ju thotë atyre, dituria absolute është tek Unë, kurse ju, mos këmbëngulni në fjalën përfundimtare, me të gjitha ato argumente, që i keni para jush. Unë e di, se gjoksi juaj ngushtohet, para ngjarjeve, të cilat ju shtyjnë t’a humbni durimin. Ju habiteni, kur shihni, se disa ngjarje “shumë të rënda e të këqia”, i kapin njerëzit e mirë dhe të devotshëm, kurse, në anën tjetër, shihni “shumë të mira”, tek personat, që bëjnë mëkate. Mos paragjykoni se ky është përfundimi tyre. Ajo, se çfarë ju shihni, është logjika juaj, kurse e vërteta absolute qëndron tek Unë. Ndodh që, e servuara para jush, të jetë e kundërta e së vërtetës. Atë, që ju e vlerësoni të dëmshme, mund të jetë e mirë e madhe, kurse atë, të cilën ju mund t’a vlerësoni të mirë, mund të jetë e dëmshme ose pengesë e mirësive tuaja View High Resolution
Order Prints & Gifts
Create Your Own Site
Back Home